Policia e qarkut Korçë ka ushtruar një sërë veprimesh procedurale gjatë 24 orëve të fundit, duke çuar në arrestime dhe procedime penale në Korçë, Pogradec, Maliq dhe Qafë Thanë.
Në Korçë, u arrestua në flagrancë 36-vjeçari A. B., banues në Lozhan, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Po ashtu, u referuan materialet për fillimin e procedimit penal ndaj 46-vjeçarit K. Gj., i dyshuar se ka përvetësuar 10 000 euro nga një shtetas grek, përmes mashtrimit në harkun e tre viteve. Ndaj 50-vjeçarit S. O. nisi procedimi pasi në celularin e tij u gjetën faqe të lojërave të fatit, ndërsa për rastin e 49-vjeçares G. N., e cila humbi jetën në Spitalin Rajonal Korçë më 16 nëntor, policia ka referuar materialet për vlerësim pas kallëzimit të familjarëve për dyshime mbi neglizhencë mjekësore.
Në Pogradec, në procedim penal u vendosën 65-vjeçari Sh. I., i cili dyshohet se ka kanosur me mjet prerës një 75-vjeçar, si dhe 53-vjeçari D. K., që në gjendje të dehur ka dëmtuar fasadën e një biznesi me sende të forta.
Edhe në Maliq, policia ka nisur procedim penal ndaj 37-vjeçarit T. Zh., i cili ka kanosur me fjalë një shtetas, si dhe ndaj I. L., 20 vjeçe, dhe N. M., 59 vjeçe, të cilat dyshohet se janë konfliktuar me njëra-tjetrën për motive të dobëta.
Ndërkohë, në PKK Qafë Thanë u kap në tentativë për të dalë nga vendi 39-vjeçari P. K., i shpallur në kërkim për kundërshtim të punonjësit të policisë. Po aty, u referuan materialet për 68-vjeçarin P. Z., banues në Bullgari, pasi gjatë kontrollit në automjet u gjetën 4 armë të vjetra me dokumente shoqëruese. Policia po vijon verifikimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


