Pas protestës së një dite më parë në fshatin Kalivaç, ku banorët bllokuan për rreth 10 minuta aksin rrugor “Qukës-Qafë Plloçë”, Policia e Pogradecit ka proceduar penalisht 9 shtetas të përfshirë në bllokimin e qarkullimit. Sipas Policisë, këta shtetas dyshohet se tentuan të pengonin kalimin e automjeteve, duke krijuar radhë të gjata dhe tensione me drejtuesit e mjeteve.
Protesta lindi si kundërshtim ndaj mbylljes së segmentit rrugor që lidh fshatrat Kalivaç, Llengë dhe Gur i Bardhë me rrugën e re, pasi zgjidhja alternative që propozojnë autoritetet shton mbi 2 km rrugë dhe është pothuajse e pakalueshme. Banorët shprehen se segmenti aktual është i amortizuar dhe i rrezikshëm, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare.
Ndërhyrja e administratorit të njësisë Trebinjë, Ilia Muço, dhe mbërritja e Policisë, shmangu përshkallëzimin e situatës, por materialet u referuan në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.


