Reshjet e fundit në qarkun Korçë kanë shkaktuar disa problematika të lokalizuara, por falë ndërhyrjeve të shpejta të strukturave vendore, situata paraqitet e stabilizuar dhe pa rrezik për banorët.
Në fshatin Çiflig të Bashkisë Korçë u raportua prezencë uji në oborret e tre banesave, duke prekur vetëm hangarë me bazë blegtorale. Administratorët dhe ekipet e terrenit kanë nisur menjëherë pastrimin e kanaleve dhe largimin e ujërave të grumbulluara. Në fshatin Vinçan, rruga u prek nga shkarje dherash, por ndërhyrja e Ndërmarrjes së Shërbimeve bëri të mundur pastrimin e inertëve, duke rikthyer qarkullimin normal.
Edhe në Bashkinë Maliq, konkretisht në zonën e minierës në fshatin Qenckë, pati rrëshqitje të dherave që sollën prezencë inertesh në rrugë. Kontraktori ndërhyri në kohë duke pastruar rrugën, e cila tashmë është plotësisht funksionale.
Ndërkohë, nga Drejtoria Rajonale Qendër-Lindje (ARRSH) raportohet se akset rrugore kryesore janë të kalueshme. Në aksin e vjetër Korçë–Ersekë, në zonën e Qarrit, janë evidencuar shkarje dherash, dhe makineritë vijojnë punën për pastrimin e rrugës.
OSHEE njofton se aktualisht 1,762 abonentë janë pa energji elektrike në disa zona të Korçës dhe Bilishtit, ku ekipet teknike po punojnë për riparimin e defekteve. Në zonat e Maliqit dhe Pogradecit nuk janë raportuar probleme me furnizimin me energji.
Pavarësisht intensitetit të reshjeve, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit konfirmon se nivelet e lumenjve Devoll dhe Dunavec paraqiten të qëndrueshme, ndërsa është evidentuar vetëm një pasqyrë uji në një parcelë bujqësore.
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin në terren. Deri në këto momente, nuk raportohen situata që paraqesin rrezik për qytetarët apo banesat. Autoritetet sigurojnë ndjekje të pandërprerë të situatës dhe reagim të menjëhershëm në rast të agravimeve.


