Në fshatin Sheqeras të Maliqit është krijuar një situatë alarmante si pasojë e prurjeve të shumta të ujit nga lumi dytësor që zbret nga Ormani dhe Pojani. Sipas informacioneve të para, argjinatura që mbron zonën po rrezikon të çahet, duke vënë në rrezik përmbytjeje dhjetëra banesa dhe sipërfaqe bujqësore.
Për të menaxhuar situatën, në terren ndodhet kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, së bashku me forca të Policisë së Shtetit, emergjencave civile dhe zjarrfikëses.
Ekipet po punojnë për të forcuar argjinaturën dhe po monitorojnë vazhdimisht nivelin e ujit, ndërsa banorëve u është kërkuar të jenë në gatishmëri. Autoritetet bëjnë apel për qetësi dhe bashkëpunim, ndërsa situata mbetet kritike.


