Vijon zbatimi i planit të masave nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme të gjuetisë dhe prerjes së pyjeve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë kapur në flagrancë në fshatin Selcë e Poshtme një shtetas që po kryente gjueti të paligjshme. Në vendin e ngjarjes u gjetën dy shpendë të vrarë me armë gjahu, si dhe janë sekuestruar 1 armë gjahu, fishekë dhe 1 automjet.
Pas veprimeve hetimore, materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës. Shtetasi E. S., 56 vjeç, banues në Elbasan, procedohet në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”.
Kontrollet në zona të ndryshme të qarkut Korçë janë pjesë e planit të masave të Policisë Korçë për të parandaluar dhe goditur aktivitetet e paligjshme të gjuetisë dhe prerjes së pyjeve, duke garantuar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e natyrës.


