Policia ka kapur në flagrancë katër të rinj teksa po kryenin gërmime të paligjshme në Varret Monumentale Ilire të Selcës së Poshtme, në zonën e Mokrës. Ngjarja është regjistruar, falë njoftimit të banorëve të fshatit, të cilët kishin konstatuar persona që po përdornin detektorë metalesh dhe po hapnin gropa në pjesën anësore të territorit arkeologjik.
Sipas burimeve, ndërhyrja e menjëhershme e inspektorit të policisë së zonës bëri të mundur kapjen në vendngjarje të të rinjve, të cilët dyshohet se janë nga zona e Korçës. Me ta po kryhen veprimet e para hetimore në terren, ndërsa më pas pritet të shoqërohen në komisariat për procedura të mëtejshme ligjore.
Kjo është hera e parë që policia arrin të kapë në flagrancë persona që gërmojnë në varret Ilire me qëllim gjetjen e metaleve apo objekteve arkeologjike me vlerë. Ndërkohë, gjatë 2–3 muajve të fundit janë konstatuar edhe tre raste të tjera gërmimesh të paligjshme në këtë zonë, por pa autorë të identifikuar.
Varret Monumentale Ilire të Selcës, që i përkasin fundit të shekullit IV para Krishtit, janë unike për nga lloji në të gjithë Evropën dhe janë shpallur zonë A arkeologjike. Megjithatë, mungesa e rrethimit dhe masave mbrojtëse e bën territorin lehtësisht të aksesueshëm.
Situata është përkeqësuar edhe më tej pas ndërtimit të rrugës së re Qukës–Qafë Plloçë, e cila kalon shumë pranë kësaj pasurie të rrallë kulturore, duke e bërë zonën edhe më të ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të paligjshme.


