Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Këshilli Rinor Pogradec, ku u prezantua puna e realizuar gjatë vitit që po mbyllet, u njohën anëtarët e rinj dhe u shpalosën projektet që pritet të zhvillohen gjatë vitit 2026.
Gjatë fjalës së tij, Xhakolli përgëzoi të rinjtë për energjinë, angazhimin dhe rolin aktiv që kanë marrë në jetën publike të qytetit, duke theksuar se Bashkia Pogradec i konsideron të rinjtë si një partner të rëndësishëm në vendimmarrje dhe zhvillim lokal.
Kryebashkiaku vuri në dukje se infrastruktura rinore në Pogradec është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit dhe se investimet do të vijojnë edhe në të ardhmen. Ndër projektet e përfunduara dhe ato në proces u përmendën Pallati i ri shumësportësh “Arefi Berberi”, rikonstruksioni i Qendrës Kulturore për Fëmijë, hapja e Qendrës së re Multifunksionale për të rinjtë, si dhe funksionimi i Qendrës Rinore të qytetit.
Po ashtu, Xhakolli njoftoi se shumë shpejt do të nisë edhe rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës, i cili do të ofrojë hapësira të dedikuara për aktivitetet dhe krijimtarinë rinore. Një tjetër lajm i rëndësishëm për të rinjtë ishte edhe realizimi i korsive të biçikletave, të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të shëtitores përgjatë liqenit, duke iu përgjigjur një kërkese të hershme të tyre.
Në përfundim, kryetari i Bashkisë Pogradec theksoi se të rinjtë janë zëri, energjia dhe e ardhmja e qytetit, ndërsa mbështetja institucionale ndaj tyre do të vijojë të jetë konkrete dhe e qëndrueshme.


