Disa ditë më parë u zhvillua dëgjesa publike për projektin e rikonceptimit total të shëtitores përgjatë liqenit, nga Moli deri në Drilon, një ndërhyrje madhore që synon transformimin e një prej zonave më të frekuentuara të qytetit. Projekti parashikon një shëtitore moderne, më të organizuar dhe plotësisht në shërbim të publikut, e ndërtuar mbi parimet e “Green Mobility” dhe lëvizshmërisë së gjelbër.
Sipas projektit, shëtitorja do të pasurohet me hapësira moderne publike, stola të rinj, gjelbërim të shtuar dhe mbjellje pemësh, ndriçim bashkëkohor, si dhe rrugica të reja për lëvizje në këmbë. Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe ndërtimit të korsive të biçikletave përgjatë liqenit dhe deri në Tushemisht, si pjesë e një infrastrukture urbane të qëndrueshme, që synon reduktimin e ndotjes dhe rritjen e cilësisë së jetës për banorët dhe vizitorët.
Një nga elementët kryesorë të projektit është heqja e rrethimeve pranë ish-vilave, duke garantuar akses të lirë të qytetarëve në hapësirat buzë liqenit. Rruga nga ish-vilat deri në Drilon do të transformohet tërësisht në zonë pedonale dhe korsi biçikletash, duke u vënë në funksion të këmbësorëve dhe çiklistëve.
Ndërhyrja përfshin edhe molin e qytetit, ku parashikohet thellimi i tij për ankorimin e mjeteve lundruese me funksion turistik, vendosja e dy anijeve elektrike për shëtitje turistike dhe transport ujor brenda qytetit, si dhe përdorimi i mjeteve elektrike për transport të lehtë urban në zonat pedonale. Po ashtu, pranë molit do të ndërtohet një qendër e re në funksion të Policisë Kufitare dhe sektorëve të promocionit turistik të Bashkisë Pogradec.
Ky investim i rëndësishëm, i financuar nga KfW gjermane, pritet t’i japë shëtitores së Pogradecit një pamje të re, duke rritur atraktivitetin turistik, numrin e vizitorëve dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm 4-stinor. Projekti u diskutua me grupe interesi dhe qytetarë, të cilët dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre, të pritshme për t’u reflektuar në projektin përfundimtar. Pas miratimit nga institucionet përkatëse, pritet nisja e procedurave të tenderimit dhe më pas zbatimi i projektit.


