Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Korçë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit dhe informalitetit. Si rezultat i kontrolleve të fundit, Policia ka konstatuar katër raste të tjera shkeljesh në qytetin e Maliqit dhe në Korçë, duke proceduar penalisht katër shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare referuan materialet në Prokurori për dy shtetas në Maliq, të cilët ushtronin aktivitet pa e regjistruar në organet tatimore dhe pa pajisje fiskale për lëshimin e kuponëve. Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë proceduan penalisht një tjetër shtetas, pasi në lokalin e tij kishte punësuar një punonjës në mënyrë të paligjshme, pa e deklaruar në tatime.
Po ashtu, në Maliq u procedua penalisht një 39-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në lokalin ku ndodhej iu gjetën në celular faqe aktive për baste sportive, të cilat u sekuestruan si prova materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


