Korça hyn në javën më festive të vitit, duke mirëpritur Krishtlindjen me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike. Për banorët dhe vizitorët e shumtë që kanë zgjedhur t’i kalojnë këto ditë në qytetin e serenatave, Bashkia Korçë ka përgatitur një program të larmishëm koncertesh, shfaqjesh dhe eventesh festive, që sjellin atmosferën e festës në çdo cep të qytetit.
Nga koncerti premier i Orkestrës Simfonike të Korçës në Teatrin “Andon Z. Çajupi”, te koncertet festive në Sheshin e Pazarit të Vjetër, koret e të rinjve, muzika acapella dhe serenatat korçare, java e Krishtlindjes ofron aktivitete për të gjitha moshat dhe shijet.
Zonat kryesore të qytetit, teatrot dhe sheshet publike do të shndërrohen në hapësira feste, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse për këdo që viziton Korçën në këto ditë të veçanta.
Bashkia Korçë fton qytetarët dhe turistët të bëhen pjesë e kësaj jave festive dhe ta përjetojnë së bashku magjinë e Krishtlindjes, muzikën, traditën dhe gëzimin që e karakterizon Korçën në fundvit.


