Një vatër e përmasave të mëdha zjarri ka përfshirë një masiv pyjor në fshatin Lugaxhi të Elbasanit, duke u afruar rrezikshëm drejt zonave të banuara. Ngjarja po regjistrohet në Njësinë Administrative Labinot Mal, ku flakët po përhapen me shpejtësi.
Sipas raportimeve nga terreni, zjarri po përparon në drejtim të shtëpive të fshatit, duke krijuar një situatë rreziku për banesat që ndodhen pranë vatrës.
Për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur dëmet në prona, forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave të Bashkisë Elbasan kanë mbërritur në vendngjarje. Ata po punojnë intensivisht në terren për izolimin e zjarrit.


