Ngjitja e rregullt e shkallëve ul me 39% rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, sipas një studimi të ri nga studiuesit britanikë që analizoi të dhënat e 480 mijë personave.
Të dhënat e mbledhura përfshinë individë të moshës 35 deri në 84 vjeç. Rezultatet e analizës treguan se ata që zgjidhnin të ngjisnin shkallët rregullisht kishin 24% më pak rrezik të vdisnin nga çdo shkak, krahasuar me personat që i përdornin ato më rrallë. Ky aktivitet i thjeshtë fizik u lidh gjithashtu me një rrezik më të ulët për infarkt, goditje në tru dhe insuficiencë kardiake.
Ngjitja e shkallëve si zëvendësues i palestrës
Sipas studiuesve, nuk është e nevojshme të kalohen orë të tëra në palestër për të pasur një zemër të shëndetshme. Edhe pak minuta ngjitje shkallësh disa herë në javë mund të përmirësojnë ndjeshëm gjendjen fizike, shëndetin e zemrës dhe të ndihmojnë në uljen e kolesterolit.
Ekspertët theksojnë se kjo është një mënyrë praktike dhe e thjeshtë për të futur aktivitetin fizik në përditshmërinë e gjithsecilit. Për këtë arsye, ata sugjerojnë që herën tjetër kur të keni zgjedhjen mes ashensorit dhe shkallëve, të zgjidhni shkallët për të mbrojtur shëndetin tuaj.


