Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, këshilltarë bashkiakë dhe qytetarë të pranishëm në dëgjesën publike për Reformën e re Administrativo-Territoriale kanë dalë hapur kundër propozimit për bashkimin e Maliqit me Bashkinë Korçë, duke ngritur shqetësime për cenimin e autonomisë, rritjen e taksave dhe rënien e cilësisë së shërbimeve.
Topçiu: Jam kundër bashkimit, po përgatisim argumentet për Kuvendin
Gjatë fjalës së tij në sallën e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Topçiu deklaroi se ende mungon qartësia e plotë mbi statusin, kompetencat dhe financat e njësive vendore nëse ndryshimet miratohen. Ai bëri me dije se po përgatit një material zyrtar me argumentet e tij për t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë.
“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë, në kuptimin çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cili do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve. Problematikat janë të gjera edhe pavarësisht kësaj nuk mund të thuhet me një po e me një jo”, tha Topçiu, duke rikujtuar se që në komisionin parlamentar ka shprehur mendimin e tij kundër shkrirjes apo bashkimit të bashkisë.
Sipas tij, projektligji i propozuar parashikon që Bashkia Maliq të kalojë nga bashki në njësi administrative që varet po nga Maliqi, ku kryetari i bashkisë do të zëvendësohej nga një zëvendëskryetar funksional. Ai theksoi se debati nuk duhet të fokusohet te pozicioni i kryetarit, por te mënyra se si reforma do të ndikojë te shërbimet dhe zhvillimi i zonës.
Qytetarët dhe këshilltarët: Mbrojmë identitetin dhe performancën e Maliqit
Kundërshtime të forta pati edhe nga përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak. Këshilltarja e Partisë Socialiste, Pranvera Begolli, u shpreh kundër bashkimit, duke theksuar se dëgjesa nuk është zhvilluar paraprakisht në Maliq dhe se performanca e bashkisë është ndër më të mirat.
“Jam kundër bashkimit me Korçën, edhe si këshilltare e bashkisë, por edhe si qytetare. Atëherë për disa arsye. E para, është bërë dëgjesë në Korçë, nuk është bërë dëgjesë në Bashkinë e Maliqit. E dyta, performanca e Bashkisë Maliq është nga më të mirat. Është bashkia e 18-të apo e 14-të për popullsi, por edhe e dyta për bujqësi”, tha Begolli, duke shtuar se duhet mbrojtur identiteti i zonës.
Nga ana e tij, specialisti i auditit në Bashkinë Maliq, Emiljano Kodra, argumentoi se investimet e bëra ndër vite kanë rritur vlerën e pronave në qytet, ku një shtëpi që dikur shitej 1.2 apo 1.3 milionë lekë, sot arrin në 2.8 apo 3.4 milionë lekë, punë e cila sipas tij rrezikon të rrëzohet nga bashkimi me Korçën.
Frika nga rritja e tarifave të ujit dhe taksave vendore
Gjatë dëgjesës, banorët e Maliqit ngritën si shqetësim kryesor rritjen e mundshme të taksave dhe çmimit të ujit të pijshëm pas bashkimit me Korçën.
Një prej qytetarëve deklaroi: “Ne këtu paguajmë 5-7 mijë lekë të vjetër ujin, atje në Korçë paguajnë 23-24 mijë lekë të vjetër ujin. Edhe fuqia e pagesës për ne nuk është. Ne pensionistë jemi, jemi pa punë, rinia nuk ka”. BANORËT kërkojnë më shumë qartësi mbi statusin e ardhshëm të qytetit dhe mbrojtjen e shërbimeve vendore.


