Qarku i Korçës po përballet me një tkurrje të fortë demografike, ku numri i vdekjeve ka tejkaluar ndjeshëm atë të lindjeve gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, ky rajon regjistroi 265 vdekje më shumë se sa lindje, duke shënuar diferencën më të madhe negative në rang vendi dhe duke dëshmuar një proces të shpejtë të plakjes së popullsisë.
Ky fenomen negativ po shoqërohet edhe me një tjetër tregues shqetësues: qarku i Korçës ka përqindjen më të lartë të banorëve të moshës mbi 65 vjeç në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa qyteti vijon të tërheqë vizitorë dhe shpesh krahasohet me një qendër të rëndësishme turistike, largimi i të rinjve dhe rënia e lindshmërisë po krijojnë një krizë të heshtur demografike që rrezikon të ardhmen e rajonit.
Paralajmërimi i sociologëve për të ardhmen e rajonit
Sociologët në Korçë sqarojnë se shkaqet kryesore të kësaj situate lidhen me emigrimin e të rinjve dhe ndryshimet sociale. Ekspertët paralajmërojnë se nëse ky raport negativ mes lindjeve dhe vdekjeve vazhdon me këto ritme, qyteti më i madh i juglindjes do të përballet së shpejti me mungesë të fuqisë punëtore. Kjo situatë rrezikon të dëmtojë jo vetëm shërbimet e përditshme, por në të ardhmen edhe vetë sektorin e turizmit, i cili varet drejtpërdrejt nga njerëzit e aftë për punë.


