Skuadra e Skënderbeut do të zbresë në fushë ditën e premte në orën 21:00 përballë Vllaznisë në stadiumin Loro Boriçi, në sfidën që çel zyrtarisht edicionin 2026–2027 të kampionatit Abissnet Superiore. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Marjus Sulejmani, i caktuar për të prezantuar detajet e nisjes së sezonit dhe strukturën e re të garës.
Formati i ri i garës dhe ndarja në dy faza
Sipas kalendarit të publikuar nga FSHF, java e parë do të vijojë të shtunën me dy përballje dhe do të mbyllet të dielen me dy ndeshjet e fundit. Ceremonia zyrtare e hapjes së kampionatit do të organizohet të dielen në sfidën mes Egnatias dhe Tiranës, në shtëpinë e kampionëve në fuqi. Risia kryesore e këtij edicioni lidhet me skemën e kampionatit: pas përfundimit të tre fazave të rregullta, dhjetë ekipet do të ndahen në dy grupe, ku gjashtë të parat do të garojnë në fazën play-off për titullin kampion, ndërsa katër skuadrat e renditura nga vendi i shtatë në të dhjetin do të luajnë në fazën play-out.
Rregullat për aktivizimin e të rinjve dhe sfidat në Europë
Përveç ndryshimit të formatit, në këtë sezon hyn në fuqi edhe rregulli për aktivizimin e futbollistëve të rinj. Ekipet e Abissnet Superiore duhet ta startojnë çdo ndeshje me të paktën një lojtar me pasaportë shqiptare të datëlindjes 2007 e në vijim, i cili duhet të qëndrojë në fushë minimalisht gjatë një pjesë loje. Përveç zhvillimeve vendëse, drejtuesi i garave ka vlerësuar edhe ecurinë e ekipeve shqiptare në kompeticionet ndërkombëtare, ku Egnatia ka siguruar fazën e ligës në UEFA Conference League dhe do të luajë në datat 20 dhe 27 gusht për Europa League, ndërsa Dinamo City përballet me Pafos më 20 gusht në Elbasan Arena dhe më 27 gusht në ndeshjen e kthimit.


