Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj takimit dyditor të kryeministrit Edi Rama me kabinetin qeveritar dhe drejtuesit politikë të PS-së në qytetin e Pogradecit, duke e cilësuar atë si një shfaqje të dëshpëruar politike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi theksoi se ky takim që zhvillohet buzë liqenit vjen në një kohë kur qytetarët protestojnë prej 85 ditësh kundër qeverisë. Sipas tij, luksi qeveritar në vilën shtetërore të Pogradecit tregon arrogancë dhe nuk i përgjigjet kërkesave të vendit për ndryshim dhe luftë ndaj korrupsionit.
Akuzat për aferat korruptive dhe krizën politike
Demokrati u shpreh se Shqipëria ndodhet në një revoltë popullore për shkak se kryeministri është në krye të aferave më të rënda financiare, duke përmendur inceneratorët, rrugët, tunelet dhe AKSH-in. Ai shtoi se zgjidhja e krizës nuk vjen përmes lëvizjeve kozmetike apo largimit të disa drejtorëve të thjeshtë.
Sipas nënkryetarit të PD-së, takimi i zhvilluar në qytetin liqenor nuk sjell asnjë reflektim për situatën ku ndodhet vendi. “Shfaqjet e Edi Ramës në Pogradec, janë thellim i arrogancës dhe trajtimit personal të shtetit dhe aspak reflektim, aq më pak zgjidhje”, deklaroi Belind Këlliçi.


