41-vjeçari nga Dishnica e Korçës, Gentian Çipi, i dyshuar nga autoritetet si drejtues i një grupi kriminal, është arratisur mbrëmjen e së premtes nga spitali i Serres në Greqi me ndihmën e personave të armatosur.
Sipas të dhënave të policisë greke, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në oborrin e spitalit, ku dy punonjës të shërbimit të jashtëm të sigurisë po shoqëronin të dënuarin. Bashkëpunëtorët e tij kanë mbërritur me automjete që i ngjanin mjeteve të policisë dhe, nën kërcënimin e armëve tip Kallashnikov, kanë neutralizuar rojet, u kanë marrë armën e shërbimit dhe janë larguar me të burgosurin.
Precedentët penalë në Shqipëri dhe Greqi
Gentian Çipi rezulton me precedentë të mëparshëm penalë në të dyja shtetet. Në Shqipëri, ai është dënuar në korrik 2024 me 2 vjet burgim për shkatërrimin e një automjeti me zjarr më 24 prill 2023 në lagjen 13 në Korçë. Gjithashtu, në janar 2023, ai u procedua gjatë operacionit “Fijet” për vendosjen e paligjshme të kamerave të vëzhgimit pranë banesës së tij.
Në Greqi, ai akuzohet se më 3 shtator 2024 ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 25-vjeçar grek në Selanik. Gjatë operacionit për arrestimin e tij u ndaluan edhe dy persona të tjerë nga Korça, Enea Basholli (31 vjeç) dhe Kleo Topa (24 vjeç), ndërsa policia sekuestroi 1 Kallashnikov, 3 pistoleta, rreth 31 kg marijuanë dhe 23 mijë e 350 euro.
Foto ilustruese.


