Sot, pas dy vitesh organizim, greva dhe protesta të shumta, arritëm firmosjen e Kontratës Kolektive mes Sindikatës së Punëtorëvë të Fasonerive dhe kompanisë Toni Oil. Kjo kontratë vjen në një moment kyç të historisë sonë, ku me mijëra punëtorë po largohen nga vendi si pasojë e pagave të ulëta, kushteve të këqija të punës dhe shfrytëzimit çnjerëzor në punë. Kjo kontratë është produkt i ngulmimit, disiplinës dhe vullnetit të punëtorëvë të fasonerive për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Organizimi i punëtoreve të fasonerive në Bilisht është i hershëm dhe konstant ndër vite, pasi kushtet e punës aty kanë qenë shumë të vështira dhe padrejtësitë kanë qenë të vazhdueshme. Të lodhura nga kjo gjendje pasigurie dhe shfrytëzimi, gratë punëtore u organizuan duke arritur fitore të njëpasnjëshme deri në firmosjen e Kontratës Kolektive.
Kjo Kontratë përbën pikëmbërritjen e një përpjekjeje disa-vjeçare, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Të drejtat e punëtorëve nuk janë kurrë të sigurta në një sistem ku pagat janë të pamjaftueshme, ku ligjin e bën më i forti, ku çmimet rritën dita-ditës, ku varfëria po largon të rinj e të moshuar nga vendi dhe ku padroni mund të korruptojë institucionet shtetërore e të shtypë këdo që ngre krye.
Punëtorët do të jenë të sigurtë dhe të fortë vetëm duke u organizuar me njëri-tjetrin, si në rastin e Sindikatës së Punëtorëve të Fasonerive, dhe vetëm duke e ngritur zërin bashkërisht. Iu bëjmë thirrje të gjithë punëtorëvë të fasonerive që të bëhen pjesë e kësaj sindikatë dhe të luftojmë së bashku për përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave tona.
Punëtorët e bashkuar kanë për të fituar!


