Kryetari i Partisë së Lirisë në Pogradec ka reaguar më në fund las rezultateve të zgkedhjeve të 14 Majit. Ai shprehet i zhgënjyer nga organizimi zgjedhor dhe se opozita duhet të hedhë tashmë baza të forta.
Reflektim mbi zgjedhjet e fundit
“Duke qenë aktiv në politikë për më shumë se një dekadë, ke mundësi që të bësh dallimin midis momenteve të ndryshme të saj dhe të reflektosh mbi aksionin tënd politik dhe të formacionit ku militon. Zgjedhjet e fundit ishin më të keqorganizuarat e viteve të fundit, ku ne, opozita, ishim vetëm fasadë legjitimimi të tyre.
Për momentin politik ku ne ndodhemi, rezultati ishte humbje, por njëkohësisht ishte shenjë se opozitarizmi i vërtetë nuk ka vdekur. Opozita duhet të jetë një e vetme, një formacion politik, pa dy koka, por me një ekip drejtues, një federatë apo koalicion politik i vetëm.
Opozita duhet të ndërtohet si një entitet politik kundër korrupsionit, pro demokracisë, pa asnjë aleancë me krimin dhe bizneset e mëdha, me figura që i përplotësojnë këto veti.
Duhet ndarë përfundimisht opozita nga pseudopozita, ndarje pa ekuivoke, e qartë dhe konkrete. Riorganizimi i opozitës duhet të jetë thelbi i aksionit politik, me njerëzit në qendër dhe pranë tyre, duke dëshmuar se i gjithë aktiviteti do të bazohet në vlerësimin kontributor.
Programi i opozitës për zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë një i vetëm, me pika të qarta dhe konkrete mbi zhvillimin ekonomik, liritë dhe të drejtat, demokracinë, llogaridhënien, korrupsionin, rendin publik, çështjet e mprehta sociale, politikën e jashtme, etj.
Ne, opozitarët, jemi të vonuar për këtë ndryshim, pasi koha ecën shpejt. Përballë kemi një makineri që besoj se mund të mposhtet vetëm nëse ne vemë mendjen dhe shpirtin në punë, sepse arma e vetme që kemi ndaj tyre është dashuria jonë për vendin, për familjen dhe për lirinë.
Këto opionione të mia personale, doja të ndaja me ju duke shpresuar se ka shumë njerëz që mendojnë si unë, ndaj le ti përveshim mëngët,” – përfundon komentin e tij kryetari i Partisë së Lirisë në Pogradec, Gentian Çala.


