Tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur këtë të mërkurë në aksin rrugor Korçë – Qafë e Qarrit, në afërsi të fshatit Kamenicë.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur kur një automjet, me dy bashkëshortë në bord, ka kryer një manovër të gabuar, duke përplasur fillimisht një këmbësore që ndodhej në anë të rrugës dhe më pas është përplasur me murin rrethues të një banese.
Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit, bashkëshortja e tij dhe këmbësorja. Të tre të dëmtuarit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po marrin ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor dhe shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.


