Një aksion pastrimi më i zgjeruar se zakonisht është zhvilluar këtë fundjavë në qytetin e Maliqit, ku firma kontraktore e angazhuar nga bashkia ka kryer ndërhyrje të thelluara në disa zona të qytetit.
Pastrimi ka përfshirë rrugët kryesore, lagjet e banuara dhe hapësirat publike përreth qendrës, ku janë larguar mbetje urbane, janë larë trotuaret, janë pastruar kanalizimet dhe janë krasitur bimët dekorative.
Që në orët e para të mëngjesit, makineritë dhe punonjësit kanë punuar me intensitet, duke i dhënë qytetit një pamje më të pastër dhe më të sistemuar, veçanërisht në këtë periudhë kur fluksi i vizitorëve në zonën e Maliqit është në rritje.
Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se pastrimi i sotëm është pjesë e një plani periodik mirëmbajtjeje, por theksojnë se janë të hapur për çdo sugjerim nga qytetarët për përmirësimin e shërbimeve mjedisore.


