Nga shkolla e parë shqipe në Korçë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka folur për statusin dhe sfidat e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se pavarësisht ndryshimeve ligjore, shqipja ende nuk trajtohet si gjuhë e barabartë me maqedonishten.
Taravari kujtoi se që nga viti 1974, në kohën e Jugosllavisë socialiste, gjuha shqipe ka qenë zyrtare në Republikën e atëhershme të Maqedonisë. Por pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, statusi i saj ka ndryshuar. Megjithëse Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 dhe ndryshimet ligjore të vitit 2017 zgjeruan përdorimin e shqipes në zonat me mbi 20% të popullsisë shqiptare, ai thekson se zbatimi në praktikë është larg pritshmërive.
“Fatkeqësisht, gjuha shqipe nuk është e barabartë me maqedonishten. Ajo mbetet ende si ‘gjuha e 20%’, gjë që duhet të ndryshojë. Në të vërtetë, shqiptarët dhe maqedonasit përbëjnë rreth 90% të popullsisë, prandaj të dyja gjuhët duhet të jenë zyrtare në mënyrë të barabartë,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se në Maqedoni ekzistojnë ligje shumë të mira për përdorimin e gjuhës shqipe, por ato shpesh nuk zbatohen, veçanërisht në institucionet shtetërore. Edhe pse është ngritur një agjenci për zbatimin e gjuhës shqipe, Taravari u shpreh i zhgënjyer nga funksionimi i saj.
“Për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin duhet të ketë ndëshkime, por kjo nuk ndodh. Problemi nuk qëndron vetëm te drejtuesit maqedonas, por edhe kur ka shqiptarë në pozita të larta,” shtoi ai.
Në fund, Taravari theksoi se respektimi i gjuhës shqipe është çështje që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin e Maqedonisë së Veriut dhe se është thelbësore që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim racional për këtë çështje.


