Një rast i kontrabandës me mallra akcize është goditur nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, në vijim të kontrolleve të shtuara gjatë sezonit veror, për parandalimin e krimeve ndërkufitare.
Në aksin rrugor “Pustec–Bigëll”, në afërsi të Pikës Kufitare Goricë, Policia Kufitare ndaloi një automjet të drejtuar nga shtetasi M. P., 31 vjeç, banues në Korçë. Gjatë kontrollit të mjetit, u zbulua një depozitë rezervë me një sasi nafte, për të cilën drejtuesi nuk kishte asnjë dokumentacion shoqërues apo faturë tatimore.
Pas veprimeve procedurale, 31-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Po ashtu, Prokuroria ka nisur procedim penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj doganierit E. F., 46 vjeç, me detyrë në PKK Goricë dhe banues në Rogozhinë, pasi dyshohet se ka lejuar kalimin e automjetit pa kryer kontrollin përkatës.
Sasia e naftës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.


