Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted” dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve homologe greke, është bërë e mundur kapja e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje në Shqipëri.
I arrestuari është shtetasi D. M., 39 vjeç, i cili ndodhej në kërkim ndërkombëtar, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, më datë 9 shkurt 2025. Për të ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Nga hetimet rezulton se më 4 shkurt 2025, në qytetin e Korçës, 39-vjeçari ka tentuar të vrasë 40-vjeçarin E. Sh., duke e goditur me mjet prerës (thikë).
Pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Athinës, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Aktualisht, po ndiqen të gjitha procedurat ligjore për kthimin e tij në vendin tonë, ku do të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat që rëndojnë mbi të.
Operacioni “The Wanted” vijon të japë rezultate në kapjen e personave të rrezikshëm që tentojnë t’i shpëtojnë drejtësisë.


