Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar që procesi i reformës së re administrativo-territoriale të përfshijë dëgjesa publike me qytetarët, duke dalë kundër një qasjeje thjesht teknike për shkrirjen e disa bashkive në vend.
Reagimi i tij vjen pas protestave të zhvilluara në Poliçan, ku disa qytetarë dogjën teserat e Partisë Socialiste, si dhe pas kundërshtimeve të shprehura nga banorët në Divjakë dhe Libohovë.
Përmes një deklarate publike, Braçe theksoi lidhjen e tij të posaçme me këto tri bashki që rrezikojnë të shkrihen. Ai përmendi se Poliçani është vendi ku u zgjodh për herë të parë deputet, Divjaka ku shërbeu për 12 vite, dhe Libohova si vendi i tij i origjinës.
“Dita e djeshme ishte e vështirë, për shkak të ndarjes së propozuar administrativo-territoriale. Reforma duhet të jetë shumë më e madhe se kaq,” u shpreh deputeti, duke theksuar se qytetarët duan të dëgjohen.
Rëndësia historike dhe ekonomike e bashkive
Duke argumentuar kundër shkrirjes së këtyre njësive, Braçe solli në vëmendje historikun dhe potencialin e secilës zonë. Ai theksoi se Libohova ka qenë nënprefekturë që në vitin 1914 dhe ka ekzistuar që nga shekulli i katërt para erës sonë. Për të përforcuar idenë se Libohova ka qenë përherë qytet, ai solli në vëmendje një shprehje të Moikom Zeqos se nuk ka fshat me kala dhe kullë sahati.
Për Divjakën, ai nënvizoi se ka qenë aty në 500 vitet e fundit dhe është zhvilluar aq shumë në 12 vitet e fundit nga pikëpamja ekonomike, e prodhimit, infrastrukturore dhe sociale, sa e ka bërë shumë herë Lushnjën të duket e mbetur prapa.
Ndërsa për Poliçanin, deputeti kujtoi se është një qytet i ndërtuar për nevoja strategjike të industrisë ushtarake, një sektor për të cilin ai vlerëson se ka nevojë jetike në ditët e sotme dhe qyteti është i gatshëm për këtë funksion.
Apeli për dëgjesa publike
Në përfundim të reagimit të tij, Braçe kërkoi që qytetarët të informohen dhe të dëgjohen për arsyet e kësaj ndarjeje, duke theksuar se ekonomia e vendit nuk mund të përqendrohet vetëm në Tiranë.
“Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht udhëheqësit e këtyre bashkive, por njerëzit. Ata nuk janë dëgjuar dhe ky është problem,” deklaroi ai, duke shtuar se duhet ndarë informacioni me ta dhe duhen debatuar argumentet.
Sipas tij, ka argumente të shumta për t’u shkëmbyer dhe ky proces nuk është kurrë një proces i ftohtë teknik, por mbi të gjitha njerëzor.


