Qeveria Rama ka konfirmuar se më 1 korrik nis rritja e pagave nga e cila do të përfitojnë 30 mijë punonjës të sistemit arsimor, punonjësit e shërbimit psiko-social dhe oficerët e sigurisë në shkolla.
“Dua të ndaj me mësuesit një lajm të mirë sa i përket rritjes historike të pagave e cila fillon nga 1 korriku. Një rritje e pagave që do përfshijë 30 mijë punonjës në sistemin arsimor, duke qenë kjo rritje më madhe e pagave. Paga mesatare e mesuesve rritet me 180 mijë lekë të vjetra, duke e çuar pagën mesatarë në 950 euro.
Nëse do të kalonim në kategori specifike, paga mesatare në arsimin e mesëm dhe të lartë, që ka nivelin e kualifikimit dhe vjetërsinë mbi 15 vite punë, do të shkojë nga 79,800 në 98,500 lekë të reja. Paga mesatare e mësuesi në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75,800 në 96,000 lekë.
Rritje më të konsiderueshme do ta kenë edhe mësuesit e ciklit fillor, ku paga mesatare e mësuesit me eksperiencë mbi 15 vite shkon nga 72,400 në 95,200 lekë. Për punonjësit e shërbimit psikosocial, paga mesatare shkon në 910 euro, ndërsa paga mesatare e punonjësve që lidhen me sigurinë në shkolla shkon në 800 euro”, tha ministrja Manastirliu.


