Shumë intelektualë të qytetit të Korçës janë shprehur kundër vendimit për bashkimin e universitetit “Fan S. Noli” me Universitetin e Tiranës. Edhe gazetarja Daniela Zisi shprehet kundër, ajo ka postuar një shkrim në faqen e saj facebook ku thotë se askush nuk kërkoi mendim, ndihmë dhe askush nuk mendon për qytetin por vetëm për veten e tyre. Ajo thotë se është një vendim i nxituar dhe që nuk duhet të ndodhë. Ja çfarë ka shkruar ajo;
Neni 1 i Ligjit për Arsimin e Lartë thotë se arsimi eshtë e mirë dhe përgjegjësi publike.
Referenca në ligj më çon tek pyetja se në ç’masë dhe me çfarë standardi ka përmbushur këto kërkesa të ligjit, vendimi i senatit të universitetit “Fan Noli” për t’u bashkuar me Universitetin e Tiranës? A është trajtuar universiteti si e mirë që na përket të gjithëve, sepse kontribuojmë të gjithë për të? A u informuan së pari e më pas, a u pyetën grupet e interesit, ekspertët, kontribuesit dhe më tej publiku për arsyet, përmbajtjen dhe pasojat që sjell ky vendim?
Ende jemi në pritje për të mësuar zyrtarisht edhe emrat e atij/atyre, që propozuan bashkimim me Universitetin e Tiranës dhe të grupit që hartoi draft- propozimin. A garantojnë këta emra kompetencën, aftësinë, paanësinë, integritet të pacënuar dhe pandikueshmërinë për të mbrojtur interesin më të lartë të universitetit, sepse është e mirë publike?
A ka kjo lëvizje interes, motiv, perspektivë e qëllim akademik apo politik?
Ende nuk dimë cila është përmbajtja e draft- propozimit, çfarë metodologjie kanë përdorur hartuesit për të riformatuar dhe profilizuar universitetin? A u bë fillimisht një studim i detajuar i kontekstit social, ekonomik dhe demografik të rajonit, për të identifikuar programet kompetitive?
Në mungesë të informacionit zyrtar sa më sipër, po iu referohem burimeve konfidenciale të cilat thonë se bashkimi me Universitetin e Tiranës ka për qëllim të mundësojë rankimin në nivel evropian të këtij të fundit, duke shfrytëzuar infrastrukturën e universitetit tonë. Institucioni duhet të mbajë qëndrim për këto dyshime.
E më tej, se profilizimi do bashkojë fakultete dhe do pjellë programe të natyrës së prodhimit të fikut nga shartimi i shegës me pataten. E gjitha, për të mbajtur në poste nja dy dekane dhe në punë ca pedagogë. Absurd. Ta marrë e mira këtë punë!
Po përse me kaq nxitim, mjegull, ankth e konflikt, arbitraritet e pamaturi, arritët tek kjo fshehuriçkë, që ia përplasët Korçës në fytyrë gjithë arrogancë?
Po bashkohet një universitet rajonal me universitetin më të madh të vendit dhe nuk po bashkojmë aneksin me kuzhinën, që të kryqëzojmë duart dhe të presim ç’do katranosin ustallarët, por më tepër, ustalleshat.
Post Scriptum: Po e mbyll shkrimin me një episod nga koha e Zogut.
Prefekti i Beratit i asaj kohe kërkonte me ngulm që të vinte prefekt në Korçë. Ia gjeti anën dhe erdhi në Korçë. Pas disa muajsh, dhjetra letra ankese tek Zogu, sollën shkarkimin e tij nga detyra. Për rastin korçarët thanë: “Korçën kërkove, Korçën të dhanë, e dhjeve dhe Korçën, siç dhjeve Beranë”.


