Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka pritur një delegacion të nivelit të lartë nga Aleanca për Shqiptarët, partia e dytë shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Delegacioni, i kryesuar nga Dr. Arben Taravari – kryetar i partisë, profesor neurolog dhe dy herë Ministër i Shëndetësisë – përfshinte edhe drejtues të tjerë të rëndësishëm si: Dr. Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit; Blerant Ramadani, sekretar i përgjithshëm i partisë; Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit dhe Nazim Taipi, kryetar i Kuvendit Kombëtar të partisë.
Gjatë takimit në ambientet e Bashkisë, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal, me fokus në fushat e kulturës, arsimit, rinisë dhe turizmit. Të dyja palët ndanë përvoja dhe ide konkrete për ndërtimin e partneriteteve afatgjata dhe binjakëzime mes komunave përkatëse.
Vizita, e para e këtij niveli në Pogradec, u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimeve të reja në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rolit strategjik që kanë zonat përkatëse në kuadër të Korridorit 8.
“Pogradeci, me historinë, kulturën dhe potencialin e tij turistik, është gjithmonë i hapur për bashkëpunime që sjellin zhvillim dhe përforcojnë lidhjet mes shqiptarëve kudo që janë,” u shpreh kryebashkiaku Xhakolli pas takimit.


