Një banore e pallatit ku u gjet i vrarë një 20-vjeçar, ka rrëfyer momentet e para pas të shtënave me armë zjarri. Kozeta Shagla, e cila ndodhej në banesë me nënën e saj në momentin e ngjarjes, ka zbuluar trupin e viktimës pasi doli për të parë se çfarë e shkaktoi zhurmën e fortë.
Ajo tregon se fillimisht mendoi që dikush ishte rrëzuar nga shkallët dhe doli me qëllim për të ofruar ndihmë, por u përball me një skenë të rëndë. “Unë isha brenda në shtëpi. Dëgjova një zhurmë të madhe, sikur plasi diçka. I thashë mamit se do të dilja të shikoja çfarë po bëhej, mos kishte rënë ndonjë njeri nga shkallët që ta ndihmoja. Ngjitem unë me vrap dhe shikoj një njeri të shtrirë poshtë në tokë, barkas. Nuk e mblidhja dot veten fare. Pashë djalin të shtrirë poshtë, rreth dy metra, dhe po i rridhte gjak nga koka. Nuk e harroj atë skenë”, ka deklaruar Shagla.
Viktima nuk ishte banor i pallatit
Dëshmitarja thekson se i riu nuk ishte i njohur për komunitetin e atij pallati dhe shpreh tronditjen e thellë për faktin që ngjarja ndodhi në një ambient ku zakonisht qëndrojnë të mitur. “Nuk e njohim fare. S’është i pallatit, nuk është i pallatit tonë. Nuk e njihja fare. Nuk e di as ku banonte. Është tmerr. Një tronditje e madhe. Është tmerr i Zotit. Ne këtu na luajnë fëmijët çdo ditë. Nuk e kuptoj çfarë po bëhet. Unë nuk e preka me dorë. Nuk e preka me dorë. Por atë skenë nuk e harroj”, u shpreh ajo.
Pas zbulimit të trupit, sipas dëshmisë së saj, policia mbërriti e para në vendngjarje për të siguruar perimetrin, ndërsa më pas u paraqitën edhe ekipet mjekësore për të dhënë ndihmën e parë.


