Një “erë e re” ka nisur për klubin e Pogradecit. Liqenorët ndryshuan pronësi gjatë kësaj vere dhe gjithçka duket se po shkon në rrugën e duhur.
Skuadra juglindore, me sponsor “Amaar Group”, triumfoi në ndeshjen e parë në Kategorinë e Parë.
Pogradeci triumfoi në shtëpi ndaj Kastriotit me rezultatin 3-1. Paraqitje dinjitoze e liqenorëve, që vlen të përmendet se në pjesën e dytë luajtën me 10 lojtarë, pasi Qeleshi u ndëshkua me të kuq.
Golat e Panadic në minutën e 24-t, Pengut në minutën e 72-të dhe Pius në minutën e 86-të, i dhanë fitoren ekipit të Samuel Nikajt.
Pogradeci e nis kampionatin me këmbën e mbarë dhe mund të jenë ata surpriza e sezonit, për të synuar rikthimin në Superiore, duke pasur parasysh investimet e pronarëve të rinj, të cilët kanë një projekt ambicioz për ekipin.
Ekipi liqenor e ka përpara shembullin se si bashkimi i biznesmenëve të qytetit dhe investimi mund të sjellë rikthimin e tifozëve apo ngritjen e ekipit në nivele sa më të larta.
Skënderbeu është shembulli më i mirë për pogradecarët. Pse jo, ekipi liqenor të bëhet si Skënderbeu i djeshëm, ku investimet e biznesit të qytetit, qeverisë dhe FSHF-së, në vitin 2010, sollën një ndryshim rrënjësor në infrastrukturën e qytetit korçar, por edhe ndërtuan një ekip elitar. Skënderbeu është një fakt i djeshëm, Pogradeci mund të jetë një shembull për nesër, për të ndryshuar rrënjësisht futbollin në qytetin liqenor.
“Amaar Group” ka premtuar investime të rëndësishme, që do kthenin skuadrën liqenore, një emër të rëndësishëm në Shqipëri.