Në Qarkun e Korçës janë identifikuar aktualisht rreth 780 deri në 800 ferma bujqësore dhe blegtorale, ku një pjesë e madhe e tyre konsiderohen me potencial të lartë zhvillimi. Të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë tregojnë se afro 30% e këtyre fermave përbëjnë baza të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, si në sektorin bujqësor ashtu edhe në atë blegtoral.
Fermerët kanë përfituar ndër vite nga skema të ndryshme kombëtare mbështetëse, si pagesa direkte apo subvencione për investime, të financuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Vetëm në zonën e Maliqit numërohen rreth 170 ferma me kapacitete të larta, duke e shndërruar këtë zonë në një nga qendrat kryesore të prodhimit bujqësor dhe blegtoral në qark.
Drejtori i Bujqësisë në Qarkun e Korçës, Vullnet Gjolla, thekson se ky zhvillim është rezultat i mbështetjes së pandërprerë nga ministria, e cila ka kontribuar në modernizimin e fermave, përmirësimin e teknologjisë, mekanizimin dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve.


