Pas javësh pune në ara, fermerët e fushës së Maliqit kanë nisur të hedhin në tregjet lokale produktet e para të sezonit. Domatet, patstet, qepët, spinaqi, lakrat dhe perimet e tjera të freskëta tashmë janë të disponueshme për konsumatorët, duke shënuar kështu fillimin e periudhës së shitjes për bujqit e zonës.
Kjo fazë e parë e prodhimit është pritur me optimizëm nga fermerët, të cilët shpresojnë që tregu të jetë i qëndrueshëm dhe çmimet të jenë të favorshme, për të kompensuar investimet dhe lodhjen e muajve të fundit. Edhe pse kushtet atmosferike nuk kanë qenë gjithmonë në favor të tyre, reshjet e fundit të shiut kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës në ara.
Për shumë familje të zonës, bujqësia mbetet burimi kryesor i të ardhurave, ndaj ky moment është vendimtar për ecurinë ekonomike të sezonit. Krahas tregjeve lokale, fermerët synojnë që prodhimi i tyre të depërtojë edhe në tregje më të gjera, përmes bashkëpunimeve me tregtarë dhe pikë-shitje të specializuara.


