Fermerët e fushës së Maliqit po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për kultivimin e perimeve, falë kërkesës së shtuar në treg për këto produkte bujqësore. Një ndër ta është edhe Mario Zere, i cili ka vendosur të kultivojë spinaqin në një sipërfaqe prej mbi 6 dynymësh.
Mario Zere, fermer nga Maliqi, tregon se vendimi për të mbjellë këtë kulturë është marrë pasi ka vërejtur kërkesë të qëndrueshme në treg, veçanërisht në kryeqytet, ku synon të shesë prodhimin.
“Reshjet e fundit kanë ndihmuar shumë, sepse kanë shtuar lagështinë në tokë dhe na kanë lehtësuar procesin e mbjelljes,” thotë ai.
Për të rritur efikasitetin në punë, Zere ka ndërtuar vetë edhe një makineri për mbjelljen e farës së spinaqit. Ai ka zgjedhur një lloj farë që është rezistent gjatë transportit, gjë që i jep mundësi të sigurt për ta dërguar produktin në tregjet e mëdha si Tirana.
Kultivimi i perimeve në këtë zonë shihet si një mundësi reale për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve.


