Në fillim të muajit mars të vitit 1941 kryeministri i qeverisë fashiste, Benito Musolini (Duçe) vizitoi vijën e frontit italo-grek në Shqipëri. Qëllimi kryesor i vizitës ishte për tu dhënë kurajo ushtarëve italianë, pasi situata në front ishte mjaft e vështirë dhe ushtria italiane e demoralizuar po pësonte shumë humbje. Një nga vizitat e tij ishte edhe ajo në zonën e Mokrës, ne sektorin e Kalivaçit dhe Dunicës.
Benito Musolini mbërriti më 18 mars të vitit 1941 në fshatin Zëmçë, aty ku ishte vendosur Divizioni i Këmbësorisë “Forli”, i shoqëruar nga gjenerali italian Giunio Ruggiero. Zëmça ishte përzgjedhur si prapavija e sigurt e fronit, në një distancë prej 10 km larg luftimeve dhe në afërsi të spitalit fushor i cili ndodhej në fshatin Proptisht. I futur mes kodrave të Mokrës, ky ishte fshati ku ushtria italiane do të ishte më e mbrojtur për tu mos u ekspozuar ndaj sulmeve të ushtrisë greke.
Luftimet askohe në zonën e Kalivaçit dhe Dunicës u zhvilluan mjaft të ashpra. Në librin “Ushtria dhe korparmatat e saj Vol. III” publikuar nga Biblioteka Ushtarake në Romë në vitin 1979, për luftimet në këtë zonë shkruhet:
“Me marrjen e urdhërave në këtë drejtim, Divizioni (Forli) transferohet në Shqipëri në ditët e para të shkurtit dhe duke filluar nga 12 shkurti është në linjë në frontin greko-shqiptar në sektorin Kalivaç-Dunicë, në zonat e Luginës së Shkumbinit. Më 20 shkurt, divizioni mori pjesë në një betejë të tensionuar kundër frontit greko-shqiptar. Sulmet e dhunshme u kryen kundër bastioneve të Malit Kozic dhe në Luginën Kalivaçit.”
Ndërsa mjeku ushtarak Pierluigi Zamperin (1912-2003), i cili shërbeu në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke në vitet 1940-1941, në kujtimet e veta shkruante:
“Në rrëzë të Kozicit, qëndrojnë si një “Panettone Motta” (Panetone është një lloj ëmbëlsire italiane) grupe kryqesh midis kreshtave shkëmbore, pikërisht aty ku operonte “Divizioni Forli”, dhe aty pranë “Divizioni i Venecias” dhe më gjerë Divizioni “Alpin” dhe “Tridentine”. Është e natyrshme që jo të gjithë të rënët ishin dekompozuar. Me shkrirjen, ata që kanë mbetur në dimër nën dëborë, dilnin pothuajse të paprekur, të djegur. Çfarë pamjeje, o Zot i madh!”
Të gjitha këto lideri fashist Benito Musolini i pa nga afër, dhe pas kthimit në Itali më 21 mars 1941 kërkoi ndihmë nga gjermanët për të zmbrapsur ushtrinë greke. Sulmi i gjermanëve ngaj Greqisë solli edhe përfundimin e Luftës Italo-Greke në prill të vitit 1941.
Në figurë) Benito Musolini në fshatin Zëmçë i shoqëruar nga ushtarakët madhorë italianë, si dhe një hartë e Institutit Gjeografik Ushtarak e publikuar në Itali në vitin 1939 ku dallohet fshati Zëmçë (Somçë).