Fshatrat e Pogradecit vijojnë të vuajnë mungesën e investimeve në infrastrukturë. Të njëjtin fat ka pasur edhe fshati Rrëmenj banorët e të cilit prej shumë e shumë vitesh përballen me rrugën e amortizuar dhe gropa e cila u përkeqësua edhe me tepër pasi në fshat u realizua një investim për ujrat e zeza dhe tashmë presin shtrimin e rrugës.
Balta dhe gropat e mbushura me ujë në rrugën kryesore janë panorama në fshatin Rrëmenj.
I ndodhur vetëm 4 kilometra larg Pogradecit,banorët thonë se janë një lagje e qytetit, por vëmendja nuk po tregohet si në qytet.
“Për shoferët, për këta që kanë makinë, për neve nuk është mirë, shumë keq rruga” thotë një banor.
“Me këmbë shkohet, atje rruga gropa nga katër anët”.
“Tërë baltë, të gjitha të këqijat janë këtu”. Thotë një tjetër.
Ka edhe nga ata banorë që thonë që nuk blejnë automjete për shkak të rrugës, por përdorin kafshët.
“Përdorim kafshët, ne që kemi tokat larg nuk përdorim makinë, ske ku ecën me makinë”.
Kolibri u interesua pranë Bashkisë e Pogradec e cila tha se janë përfunduar kanalizimet e fshatit, si edhe është prokuruar edhe asfaltimi i rrugës kryesore të Rrëmenjit dhe gjithë fshatrave të Bucimasit dhe së shpejti do të nisin punimet.