Nexhmije Demçe – Komisarja e shtabit qendror të vullnetarëve që po ndërtojnë hekurudhën Prenjas-Guri Kuq. Jeta dhe veprimtaria e kësaj të reje janë të ngjashme me ato të mijëra vajzave dhe djemve të tjerë të Shqipërisë së sotme, të cilët mund t’i takoni në të gjithë vendin në kantiere, në institucione arsimore, laboratorë, fabrika, uzina…
“Komisarja Nexhi”, siç e thërrasin të rinjtë vullnetarë, ka lindur dhe rrjedh nga një familje dikur fshatare të varfër në qytetin e Korçës. Babai i saj mori pjesë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nëna e saj punon si kuzhiniere. Nexhmie është 24 vjeç. Ajo ka dy vëllezër dhe një motër. Vëllai i saj i madh, Luani, punon si elektricist në një minierë, ndërsa vëllai tjetër Ylli dhe motra Mandelina po vazhdojnë studimet e larta. I fejuari i Nexhmies është inxhinier.
Pas mbarimit të shkollës së mesme për përgatitjen e mësuesve, Nexhmie u punësua si mësuese e matematikës në shkollën 8-vjeçare të fshatit Bletas të rrethit të Pogradecit. Më pas u emërua sekretare e Komitetit të Rinisë të këtij rrethi. Kur filloi puna për hekurudhën Prrenjas-Guri i Kuq, Nexhmie u ngarkua me detyrën e komisarit të shtabit qendror të të rinjve vullnetarë.
Nexhmie ka qenë vullnetare në shumë projekte, të të rinjve, vendas dhe kombëtarë. Tani ajo vazhdon studimet për matematikë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, me korrespondencë. Viti 1975.