Në kuadër të 31 Majit, Ditës Botërore Kundër Duhanit, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Korçë, në bashkëpunim me nxënësit e gjimnazit “Faik Konica”, organizoi një aktivitet sensibilizues me qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e duhanit.

Aktiviteti u mbajt në ambientet e Galerisë së Arteve “Guri Madhi”, ku u hap një ekspozitë me titullin “Jeto me ngjyra”. Nëpërmjet punimeve artistike dhe thënieve simbolike, nxënësit përcollën një mesazh të qartë: të rinjtë duhet t’i thonë JO duhanit dhe t’i japin përparësi një jete të shëndetshme, të mbushur me ngjyra, art dhe pozitivitet.

Koordinatori i COD Korçë, Ardi Karanxha, theksoi se aktivitete të tilla janë thelbësore për të përfshirë të rinjtë në çështje me rëndësi për shëndetin dhe jetën e tyre.

“Përmes artit, të rinjtë kanë fuqinë të dërgojnë mesazhe të forta kundër zakoneve të dëmshme, si duhani. Ekspozita ‘Jeto me ngjyra’ është një shembull i shkëlqyer i angazhimit rinor në këtë drejtim.”

Veçantia e këtij aktiviteti qëndronte jo vetëm në mesazhin kundër duhanit, por edhe në kombinimin e edukimit me artin. Nxënësit patën mundësinë të shijonin njëherazi edhe veprat e artistëve korçarë, duke theksuar rëndësinë e angazhimit në kulturë, sport dhe aktivitete kreative si mënyrë për të zgjedhur një jetë të shëndetshme.


