Edhe gjatë muajit Shtator, Korça por edhe qytete të tjera të juglindjes janë vizituar nga turistë të shumtë të Europës Perëndimore, të cilët kanë shfaqur interes kryesisht për sajtet e trashëgimisë së kulturës e historisë. Një grup gjermanësh ka vizituar qytetin e Korçës madje kishte prej tyre që janë rikthyer pas 18 vitesh.
“Vijmë nga Gjermania, Frankfurti. Nuk është hera ime e parë në Korçë. Kam qenë këtu 18 vite më parë. Ka ndryshuar shumë. Mendoj se në Korçë mund të çlodhesh ndryshe nga Tirana që ka një jetë më të zhurmshme, dhe këtu mund të shohësh shumë gjëra në një kohë më të shkurtër.” – ka thënë një prej turistëve.
“Është hera ime e parë që vizitoj Shqipërinë dhe Korçën. Mikpritja këtu të bën përshtypje, isha në Tiranë, ishte qytet modern, ndërsa këtu te ju qytet tradicional.” – është shprehur një tjetër.
Teuta Nasto, e cila shoqëron grupe të ndryshme turistësh gjermanë tha se pjesa më e madhe e grupeve kanë njohuri për historinë dhe vlerat e trashëgimisë kulturore për qytetet kryesore të vendit.
Gjatë sezonit turistik, juglindja është vizituar nga më shumë 100.000 turistë, rreth 10% më tepër se një vit më parë. Operatorët turistike shtojnë se rezervime nga grupe të huaja ka deri në fund të muajit tetor.


