Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Matrikulli”, që ka çuar në goditjen e një skeme kontrabande dhe shpërdorimi detyre në sektorin veterinar.
Si rezultat i operacionit:
U arrestuan në flagrancë 4 veterinerë të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll:
Baki Myrtollari, 64 vjeç, banues në Durrës
Kujtim Agolli, 57 vjeç, banues në Korçë
Demir Koritari, 64 vjeç, banues në Maliq
Ergys Lame, 39 vjeç, banues në Devoll (i cili përveç shpërdorimit të detyrës akuzohet edhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë)
U shpall në kërkim G. M., 39 vjeç, banues në Devoll, i dyshuar si organizatori i kontrabandimit të 100 bagëtive të imta dhe 20 gjedhëve nga Greqia, si dhe për veprat penale:
“Kontrabanda me mallra të tjera”,
“Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”,
“Tregtimi apo transportimi i mallrave kontrabandë”,
“Fshehja e të ardhurave” dhe
“Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
U proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, 3 shtetas që dyshohet se kishin strehuar kafshët në stallat e tyre:
M. M., 40 vjeç, banues në Voskop
E. Z., 48 vjeç, banues në Bilisht
R. Zh., 57 vjeç, banues në fshatin Tren
Sipas hetimeve, bagëtitë janë futur në mënyrë të paligjshme nga Greqia dhe më pas janë matrikulluar nga veterinerët e arrestuar, duke shkelur urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Operacioni “Matrikulli” është një tjetër goditje ndaj abuzimeve në fushën e sigurisë ushqimore dhe zbatimit të legjislacionit veterinar në vend.


