Një grua 48-vjeçare ka humbur jetën në banesën e saj në lagjen nr. 15 të Korçës, vetëm dy ditë pasi ishte paraqitur dy herë për ndihmë mjekësore.
Gentiana Nano ishte dërguar fillimisht në urgjencën e spitalit të Korçës, pasi kishte probleme me frymëmarrjen. Ajo u trajtua nga mjekët dhe pasi iu kryen disa kontrolle, u la të kthehej në shtëpi me diagnozën “anemi”.
Një ditë më pas, gjendja e saj u përkeqësua sërish. Familjarët thirrën ambulancën dhe mjeku i shërbimit i aplikoi injeksione, pasi gruaja kishte tension të ulët dhe rrahje të shpejta zemre.
Megjithatë, mëngjesin e sotëm, 48-vjeçarja është gjetur e pajetë në dhomën e saj nga djali dhe babai.
Djali i viktimës, Erdiol Nano, i tronditur nga humbja, ngre akuza në drejtim të mjekëve, duke pohuar se nëna shfaqte vazhdimisht shqetësime, por sipas tij nuk iu dha asnjë shpjegim i qartë dhe nuk u mbajt në spital për ndjekje të mëtejshme.
“Ajo thoshte se nuk ndihej mirë, kishte rrahje të larta të zemrës… e çuam në spital, e vizituan dhe e dërguan në shtëpi. Si mund të lejohet një paciente të largohet kur thotë që është keq?” – u shpreh i biri.
Policia e Korçës ka nisur marrjen e dëshmive nga familjarët dhe pritet të thërrasë për sqarime edhe mjekët që kanë qenë në detyrë gjatë këtyre ditëve.
Ndërkohë, trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.


