Biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet, i lidhur me kompanitë e reja të furnizimit dhe prodhimit ushtarak në Shqipëri, rezulton i përfshirë në një sërë marrëveshjesh të debatuara shtetërore dhe përballjesh gjyqësore në Afrikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave të bëra publike, shteti shqiptar i ka paguar mesatarisht më shumë se 3 milionë euro në muaj shoqërisë publiko-private Timak Defence, e krijuar në gusht 2025 ku qeveria zotëron 20% të aksioneve, teksa një tjetër sipërmarrje paralele, Advanced Arms Technology, është ngritur për armatime dhe dronë ushtarakë.
Projektet dhe hetimet në Senegal e vende të tjera
60-vjeçari Ron Yeffet, i cili është i biri i ish-shefit të sigurisë së kompanisë ajrore El Al, Isaac Yeffet, ka zhvilluar më herët aktivitet në Senegal gjatë presidencës së Macky Sall. Në vitin 2013, ai themeloi kompaninë Develop Sénégal Company (DSC), duke marrë me negociim të drejtpërdrejtë një kontratë prej 24 milionë eurosh për banesa studentore, e pasuar nga marrëveshje të tjera pa tender me vlerë totale rreth 55 milionë euro. Pas ndryshimit të pushtetit në Senegal në mars 2024, autoritetet ndërprenë një projekt qiraje 30-vjeçare prej 140 milionë eurosh buzë detit në Dakar dhe dosjet iu referuan prokurorisë, ndonëse ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare. Përpjekje për memorandume për centrale energjetike u regjistruan gjithashtu në Nigeri në vitin 2014 dhe Çad në vitin 2018, por pa u zbatuar.
Përballjet ligjore në Nju Jork dhe Majami
Në Nju Jork, Yeffet u përfshi në ndërtimin e kullës 19-katëshe Maison du Sénégal pranë OKB-së, ku shteti senegalez bleu zyra dhe apartamente me vlerë 24.6 milionë dollarë në një truall që më parë e kishte zotëruar vetë. Po ashtu, Republika e Togos ka ngritur një padi në vitin 2024 ndaj Yeffetit, babait të tij dhe partnerit Adam Gordon për mashtrim me vlerë të paktën 30 milionë dollarë, pasi ndërtesa e misionit diplomatik u la kolateral për një kredi prej 6 milionë dollarësh dhe më pas u shemb.
Ndërkohë në Majami, ish-tregtari i energjisë Mark Faist e ka paditur Yeffetin për mospagimin e një borxhi prej 7.6 milionë dollarësh nga një shumë fillestare prej 8.6 milionë dollarësh të investuar. Yeffet është përgjigjur me kundërpadi për dëmtim imazhi, duke pretenduar humbjen e një fitimi prej 30 milionë dollarësh nga një projekt në Shqipëri. Këto procese ligjore mbeten aktualisht në shqyrtim nga organet përkatëse të drejtësisë amerikane.


