Bashkia Maliq përgjatë një ceremonie i ka dhënë sot titullin “Qytetar Nderi” pilotit z.Fluturim Molla, Dëshmorit të Atdheut, me motivacionin “Për kontribut të veçantë në aviacionin ushtarak, mbrojtës i hapësirës ajërore të Republikës së Shqipërisë deri në sakrifikim”.
Piloti Fluturim Qani Molla u lind më 17.07.1958 në fshatin Torovec të krahinës së Oparit. Ai u rrit në një familje patriote dhe u mëkua me dashuri të madhe për atdheun.
Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje në Torovec, 7 vjeçaren e kreu në Rrëmbec. Arsimin e mesëm nga viti 1973 deri në 1977 në shkollën ushtarake “Skënderbeu”, ku e përfundoi me rezultate të larta.
Në vitin 1977 filloi studimet për pilot në shkollën e lartë të Aviacionit në Vlorë.
Në vitin 1980 u diplomua pilot për avionët supersonik të kohës dhe më pas u emërua pilot në Regjimentin Luftarak Kuçovë. Ka kryer vepra të ndryshme në këtë repart. Nga komandat ekuipazhi, komandant katërsheje në skuadriljen e parë.
Gjatë viteve 1980-1990 fluturoi me avionët Mig 15,17,19 që dispononte reparti. Gjithashtu u përgatit si instruktor për pilotët e rinj. Ai kishte pasion të madh fluturimin dhe ishte korrekt në zbatimin e detyrave luftarake, sidomos në ajër. Piloti Fluturim Molla humbi jetën më 22 mars 1991 , gjatë realizimit të detyrës luftarake me avion dy vendesh UNI MIG 15 me nr. 4-20.
Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe trupi i tij prehet në varrezat e dëshmoreve të qytetit të Korçës.