Qyteti liqenor mirëpret edicionin e katërt të Marathon Enkelana, një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive që mbledh çdo vit vrapues profesionistë dhe amatorë nga e gjithë bota. Maratona do të zhvillohet ditën e shtunë, më 26 korrik, me pjesëmarrjen e atletëve nga 38 vende të ndryshme.
Edhe këtë vit, gara do të përfshijë dy disiplina:
- Gjysmëmaratona prej 21.195 metrash, me nisje nga qendra e fshatit Lin dhe përfundim në Pogradec. Nisja do të bëhet në orën 18:50 dhe sportistët do të devijojnë në kilometrin e 12-të për të ndjekur korsinë e biçikletave.
- Gara prej 11.500 metrash, me itinerarin Pogradec–Tushemisht–Pogradec, do të nisë nga qendra e qytetit në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri në orën 21:00.
Për shkak të zhvillimit të garës, do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore:
Nga ora 18:50 deri në 20:30 – aksi Lin–Pogradec.
Nga ora 19:00 deri në 21:00 – bulevardet “Reshit Çollaku” dhe “Kajo Karafili”, rruga deri tek karburanti “Gega”, aksi Pogradec–Tushemisht, rruga buzë liqenit deri te vilat dhe kthim nga rruga e zjarrfikëses drejt qendrës së qytetit.
Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit do të jenë të angazhuara forcat e policisë së rendit, policia rrugore, efektivët e policisë bashkiake, zjarrfikësit dhe autoambulanca.
Organizatorët dhe autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve të shmangin lëvizjet gjatë orareve të garës për të evituar pengesat dhe për të garantuar zhvillimin normal të këtij eventi sportiv ndërkombëtar.



