Në një kohë kur Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) përbën një kërcënim serioz për shëndetin e blegtorisë, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka intensifikuar masat parandaluese në terren. Në qytetin e Korçës, Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Sulejman Kullolli, zhvilloi një takim pune me veterinerët zyrtarë të Qarkut, ku theksi u vu te veprimi i shpejtë dhe zbatimi me përpikmëri i protokolleve zyrtare.
Kullolli kërkoi nga stafi veterinar një monitorim të pandërprerë të situatës në fermat e zonës, duke theksuar se çdo rast i dyshuar duhet të trajtohet menjëherë sipas Planit të Kontigjencës. Ai paralajmëroi se neglizhenca, sado e vogël, mund të përkthehet në përhapje të shpejtë të sëmundjes me pasoja të rënda ekonomike.

Një element i rëndësishëm i këtij plani veprimi është edhe bashkëpunimi me blegtorët. “Komunikimi i vazhdueshëm dhe informimi i saktë mbi shenjat klinike të sëmundjes janë thelbësore për të ndalur në kohë çdo vatër të mundshme infeksioni,” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm gjatë takimit.
Ai kërkoi gjithashtu që kontrollet në akset rrugore kombëtare të shtohen, për të parandaluar lëvizjen e paligjshme të kafshëve të imta, veprim i cili rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së PPR-së nga një zonë në tjetrën.

Takimi u pasua me një inspektim në terren. Kullolli vizitoi tregun e kafshëve të gjalla në Korçë, ku verifikoi nga afër zbatimin e Urdhrit të Ministrit, i cili ndalon tregtimin e deleve dhe dhive në kushtet e rrezikut të PPR-së.
Inspektimi nxori në pah rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimit mes autoriteteve veterinare, institucioneve ligjzbatuese dhe komunitetit blegtoral, në një kohë kur shëndeti i blegtorisë është sfidë kombëtare.


