Skënderbeu është i përqendruar totalisht te ndeshja e radhës në kampionat kundër Bylisit në transfertë.gjokaPas fitores me Egnatian, korçarët janë në ritmin e duhur dhe do të kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv përballë një kundërshtari direkt për garën e mbijetesës.
Përtej gjithçkaje trajneri Ernest Gjoka është i bindur se ekipi i tij mund të bëjë maksimumin dhe të dalë me tre pikë nga një ndeshje delikate dhe mbi të gjitha tejet të rëndësishme për fatet e sezonit. Në një prononcim të dhënë para këtij takimi, Gjoka kërkon angazhimin maksimal të të tijëve.
Pas fitores me Egnatian, Skënderbeun e presin tri javë që luajnë të gjithë sezonin e korçarëve?
Personalisht unë mendoj që ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme për ne. Ne jemi shumë të angazhuar dhe të përqendruar për të bërë gjithçka duhet që Skënderbeun ta mbajmë në elitë në këtë sezon.
Fillon gjithçka në Ballsh në një përballje direkte…
Kjo do të thotë që ne duhet të fokusohemi dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje duke filluar nga ajo e radhës. Skuadra ka reaguar dhe është përgjigjur mirë ndaj kërkesave të klubit, por tani duhet një tjetër angazhim për të marrë vijimësinë e rezultateve pozitive.
Çfarë duhet të kuptojmë me fjalën vazhdimësi?
Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë atë ndeshje që të gjithë pamë ndaj Egnatias. Ne jemi të bindur se e kemi potencialin e duhur për të bërë mirë në vijimësi. Thjesht duhet të heqim barrën e rëndë psikologjike për të parë përpara dhe për të marrë maksimumin ndeshje pas ndeshjeje.
Ju vërtet mendoni se Skënderbeu mund t’ia dalë të mbijetojë në këtë sezon kaq të ndërlikuar?
Unë kam besimin se mund t’ia dalim. Sigurisht që nuk është asgjë e lehtë dhe lufta deri në fund do të jetë shumë e fortë dhe shumë e egër. Por, ne i kemi cilësitë që të tentojmë gjithçka deri në fund. Kemi cilësinë dhe ambicien e duhur për të bërë një fundkampionati të mirë.


