Murtaja e dhenve, një sëmundje ngjitëse dhe me pasoja të rënda për blegtorinë, është konfirmuar edhe në qarkun e Korçës. Rastet e para janë regjistruar në fshatin Shuec të njësisë administrative Hoçisht, në bashkinë Devoll, ku kanë ngordhur 20 krerë bagëti.
Kjo sëmundje prek kryesisht të imtat dhe gjedhët, dhe përhapet me ritme të shpejta nëse nuk izolohet në kohë. Autoritetet veterinare dhe struktura të tjera përgjegjëse kanë ndërhyrë menjëherë në terren për izolimin e vatrës dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjes.
Drejtori i AREB, Vullnet Gjolla, ka konfirmuar se aktualisht në qarkun e Korçës është aktive vetëm një vatër në Shuec, ndërsa analizat për vatra të tjera të dyshuara kanë rezultuar negative. Nga ana tjetër, Shërbimi Veterinar bën me dije se lejohet vetëm lëvizja e kafshëve drejt thertoreve, nën mbikëqyrjen e rreptë të shërbimit veterinar.
Autoritetet kanë kërkuar intensifikimin e komunikimit me pushtetin vendor dhe sensibilizimin e fermerëve për ndalimin e lëvizjes së bagëtive drejt tregjeve. Masat parashikojnë gjithashtu fushata vaksinimi në zonat me rrezik të lartë, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë.
Fermerët janë këshilluar të raportojnë çdo rast të dyshimtë, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të zbatojnë udhëzimet e dhëna nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj sëmundjeje të rrezikshme.


