Në zemër të qytetit të Ersekës ndodhet një nga pasuritë më të vyera të trashëgimisë kulturore shqiptare – Muzeu Historik dhe Etnografik i Kolonjës. I themeluar më 10 shkurt 1962, ky muze është një vend i rrallë ku historia dhe tradita ndërthuren në mënyrë të gjallë dhe autentike. Me mbi 800 objekte të çmuara në fondin e tij, ai përfaqëson një pasqyrë të pasur të jetës, zakoneve dhe zhvillimeve historike të trevës së Kolonjës.

Vizitorët e muzeut, qofshin vendas apo të huaj, mund të shijojnë një koleksion të jashtëzakonshëm që përfshin dokumente të rralla historike, dorëshkrime, artefakte arkeologjike, veshje popullore autentike, vegla tradicionale pune, instrumente muzikore dhe sende të tjera që rrëfejnë historinë e përditshme të banorëve të kësaj zone. Muzeu është një ndalesë frymëzuese për turistët që kalojnë përgjatë aksit Korçë–Përmet dhe kërkojnë të zbulojnë thesaret kulturore të Shqipërisë së jugut.
Ciceronja dhe restauratorja e muzeut, Adriana Komini, thekson se përfshirja e tij në guidat turistike është thelbësore për promovimin e vlerave që ky institucion ruan, duke e kthyer në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për vizitorët.
Muzeu është ndërtuar mbi bazën e kontributit të disa prej emrave më të njohur të fushës së arkeologjisë, etnografisë dhe historisë shqiptare, si prof. Skënder Aliu, prof. Bardhyl Prifti, historiani Jorgji Qirjako dhe restauratori Agim Nebiu. Falë përkushtimit të tyre, ky institucion ka fituar një vend të rëndësishëm në hartën kulturore të Shqipërisë.

Vetëm vitin e kaluar, mbi 720 vizitorë kaluan pragun e këtij muzeu – një dëshmi e interesit të gjallë për trashëgiminë kulturore të Kolonjës dhe e potencialit të saj për t’u bërë një pikë kyçe në zhvillimin e turizmit kulturor në rajon.


