Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, ka deklaruar se skuadra e tij kishe bërë mirë thuajse gjithçka në fitoren ndaj Vllaznisë.
“Është për të ardhur keq, mua dhe sa herë të më pyetni do e kthej edhe një herë kokën mbrapa te Partizani se kemi humbur një ndeshje që vetëm ne mund të humbnim. Sot ishim më pragmatistë, bëmë detyrat edhe pse gabuam te goli i Vllaznisë, ia dhuruam. Por arritëm ta zgjidhnim.
Për të rrezikuar, nuk kemi çfarë të humbim me. Nëse nuk rrezikojmë tani, nuk kemi asnjë moment tjetër. Ishte thjesht sakrifica dhe rreziku që morëm përsipër, kur kundërshtari vuri dy sulmues lart, edhe ne iu përgjigjëm njëlloj.
Ne nuk kemi çfarë të humbim. Që nga janari, skuadra sillet ndryshe, pavarësisht pikëve. Ardhja e disa lojtarëve, ka sjellë ndryshim të gjithçkaje. Një nga problemet që kishte ky Skënderbe, ishte ndërtimi i lojës. Mendoj se po e gjejmë çelësin, janë lojtarë që vijnë nga futbolli i elitës. Estrela vjen nga kampionati portugez, Sabo nga Suedia dhe Lukinja nga Finlanda. Këta tre i kanë shtuar atë që i mungonte Skënderbeut që thoshin të gjithë po luan mirë, por kishte vetëm një Rashicë. Tani loja po rrjedh ndryshe.
Mendoj se te goli i Vllaznisë, ishte një gabim individual që ndodh rëndom në futboll se është lojë gabimesh. Por nëse mendojmë se jemi në fitore i japim topit para e ikim, ku do shkojmë? Nëse nuk qarkullojmë topin a lodhim kundërshtarin, si do i biem topit të gjatë dhe na e kthen përsësi mbrapa në një sekondë? Futbolli ka aspekte të ndryshme, por ne zgjodhëm këtë lojë.
I lumtur me Nasr? Për këto ndeshje, nga Partizani në Elbasan e Ballsh, ka pasur 11 raste dhe ka shënuar vetëm 2 gola”, tha Gjoka.


