Nga Tonin Frroku
New York, SHBA – Është një histori emigracioni, sakrifice dhe dashurie familjare që nuk u shua kurrë, ajo e Fidri Qoses nga Maliqi, i cili 30 vite më parë u nis drejt Amerikës së bashku me katër anëtarë të familjes së tij, në kërkim të një jete më të mirë përtej oqeanit.
Në një kohë kur largësitë ndaheshin me letra, me mall dhe me kujtime që zbehen me vitet, Fidriu nuk e humbi kurrë lidhjen me vendlindjen, as me vëllezërit e motrat që lanë pas. Zemra e tij kishte vetëm një dëshirë të madhe: të ribashkonte të gjithë familjen, kësaj here në tokën e mundësive, në Amerikë.
Falë ligjeve për bashkimin familjar, por edhe këmbënguljes, përkushtimit dhe dashurisë pa kushte për familjen, Fidriu arriti që, brenda tri dekadave, të mundësojë emigrimin e pjesës tjetër të familjes Qose drejt Shteteve të Bashkuara, gjithmonë me dokumentacion të rregullt dhe në përputhje me sistemin ligjor amerikan.
Sot, në moshën 65-vjeçare, Fidri Qose është një njeri i lumtur dhe krenar, jo vetëm sepse ia doli të ndërtojë një jetë të qëndrueshme për vete dhe familjen, por sepse të gjithë anëtarët e fisit jetojnë në të njëjtën lagje në New York, duke sjellë me vete jo vetëm traditat dhe zakonet nga Maliqi, por edhe harmoninë që e ka karakterizuar gjithmonë këtë familje.
E aq e fortë është kjo pranësi dhe unitet, saqë tashmë është kthyer në refrenin e një kënge popullore kushtuar këtij emigrimi të rrallë:
“Fisi Qose plot lezet, ka bërë një lagje më vete.”
Në një botë që shpesh i largon njerëzit, historia e Fidri Qoses dhe familjes së tij është një dëshmi se asgjë nuk është e pamundur kur zemra është e lidhur me rrënjët dhe dashuria për familjen i reziston kohës, largësisë dhe çdo sfide.


