Një ‘frymë’ shihet në klubin e Pogradecit që ka nisur rrugëtimin e tij në Kategorinë e Parë. Liqenorët shkëlqyen sezonin e fundit duke dominuar grupin në Kategorinë e Dytë, por ngritja në një nivel më lart sigurisht kërkon ngritje edhe në cilësi.
Në krye të klubit është vendosur një figurë e njohur për botën e biznesit siç është ai i Armand Lilos i cili është pronari i kompanisë së ndërtimit “Arlis Construction”. Rëndësia për të patur një president në krye është jetike në futbollin shqiptar dhe kjo pasqyrohet qartë dhe pastër pikërisht në këtë klub.
Me ardhjen e Lilos në krye, nuk ka ndryshuar thjeshtë organika e lojtarëve, por gjithçka nisi me plotësimin e kushteve të infrastrukturës. Stadiumi i qytetit “Gjorgji Kyçyku” i është nënshtruar një restaurimi që ka sjellë në jetë impiantin modest, por duke plotësuar kushtet e nevojshme ku funksionaliteti dhe komoditeti është vënë në dispozicion të skuadrës.
Koha e rrugëve të gjata, të lodhshme, të stërmundimshme nëpër transferta ka marrë fund pasi tashmë, Pogradeci ka luksin të ketë në zotërim një autobus modern, njëjtë si ato të ekipeve elitare si Tirana, Partizani, Dinamo e Skënderbeu, duke bërë që ai ‘minifurgoni’ i cili nuk mbante dot as ekipin e plotë deri pak muaj më parë të mbetet vetëm një kujtim.
Trajnerit Samuel Nikaj i është mundësuar një ambient pune sa më komod për të stërvitur skuadrën e cila përfaqëson një qytet historik shqiptar. Në këtë start të sezonit, rezultatet kanë qenë pozitive për një klub kaq të ri duke marrë 2 fitore në 5 javët e para që e rendisin Pogradecin në mesin e tabelës me 6 pikë.